Në ndeshjen finale të futbollit ndërmjet Anglisë dhe Italisë, në një çast u ndërpre loja, ndërsa kamerat u zhvendosën nga fusha e blertë, për t’u fokusuar te fytyrat e lojtarëve apo te diçka jorelevante, për ta shpërqendruar vëmendjen nga ajo që po ndodhte në të vërtetë. E ajo që po ndodhte, kishte të bënte me faktin se dikush ishte futur aty dhe, siç tregonte komentuesi i ndeshjes, tashmë ishte vendosur praktika që në këso rastesh mediat dhe kamerat të mos fokusoheshin te këta persona, për të mos iu dhënë hapësirë mediale, për të mos iu bërë reklamë falas!
Shkruan: Qerim Ondozi
Por ky shkrim nuk ka të bëjë me futbollin. Ka të bëjë me diçka tjetër.
Mediat në Kosovë janë rregulluar duke u ndarë në ato të shkruara dhe ato audivizuale. Për media audiovizuale është vendosur që të kujdeset Komisioni i Pavarur për Media duke nxjerrë edhe një Ligj për këtë (shih: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2809), ndërsa mediat e shkruara (atëbotë disa gazeta të shkruara) ishte vendosur të vetërregulloheshin me një trup, një organizatë jofitimprurëse, gjegjësisht Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës që do t’i bënte bashkë redaktorët e atyre gazetave që do të nënshkruanin një kod etik (shih: http://presscouncil-ks.org/wp-content/uploads/2019/11/Kodi-i-Mediave-të-Shkruara-të-Kosovës_2019.pdf).
Bukur! U vendos që nga njëra anë që televizionet dhe radiot të rregulloheshin me ligj, duke qenë se aty ka plot implikime ligjore (frekuencat, licencat, shtrirja kombëtare, etj), ndërsa gazetat e shkruara – në emër të lirisë së shprehjes dhe duke u bazuar në praktikat më të mira demokratike evropiane – të vetërregulloheshin duke u thirrur në etikën e profesionit (?).
Por, zhvillimi i mediave në dy dekadat e fundit, sidomos i portaleve të lajmeve por, pse jo, edhe i televizioneve apo mediave hibride, pati hov aq të madh saqë ishte pothuajse e pamundur që një mekanizëm shtetëror (KPM) dhe një organizatë joqeveritare (KMSHK) t’u shkonin pas këtyre zhvillimeve. Shtoja kësaj edhe kapjen e mediave nga interesa të ndryshëm politiko-ekonomikë dhe sot kemi një sistem të hatashëm të vetëçrregullimit të mediave.
Çka shkoi ters? Si u vetëçrregulluan mediat në Kosovë?
Në emër të lirisë së shprehjes qytetarët po keqinformohen.
Në emër të lirisë së shprehjes qytetarëve po u servohen të pavërteta sepse kjo na qenka një nga këndvështrimet e së vërtetës.
Në emër të lirisë së shprehjes po bëhen publike emrat e të vrarëve, të viktimave, emrat e të miturve etj, pa pëlqimin dhe dijeninë e kujdestarëve të tyre.
Në emër të lirisë së shprehjes po nxitet urrejtja ndaj një grupi të caktuar (në ca raste ky grup përbën shumicën e popullsisë, dhe kjo përbën absurd të llojit të vet).
Në emër të lirisë së shprehjes nuk i jepet fjala, e drejta për t’u përgjigjur, atij për të cilin thuhen të pavërteta.
Në emër të lirisë së shprehjes shkelet me dy këmbë jeta private e personave që nuk janë relevantë për publikun (interesi publik).
Në emër të lirisë së shprehjes nuk përfillet kolegu gazetar dhe i merret e gjithë puna të cilën e ka bërë me mund të madh dhe për një kohë të gjatë.
Në emër të lirisë së shprehjes publikohen lajme që mezi i përgjigjen njërës prej pesë W-ve tradicionale të gazetarisë (po thonë se në kapitalizëm media nuk paska nevojë të ketë rol edukues).
Në emër të lirisë së shprehjes media që shkruan në shqip regjistrohet në Burkina Faso dhe i përgjigjet legjislacionit të atij vendi.
Në emër të lirisë së shprehjes mediat në Kosovë (nuk) regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve!
Kjo listë mund të vazhdojë edhe shumë gjatë. Fakti se media në Kosovë regjistrohet po aty ku regjistrohet edhe një fabrikë për prodhimin e çorapeve, tregon mjaft.
Çfarë modeli na duhet?
E dimë të gjithë se çfarë cilësie prodhojnë mediat tona sot. Lajm bëhet një foto me gjysmë fjalie të thjeshtë (nganjëherë pa kryefjalë). Është zor të gjesh një qytetar të thjeshtë i cili do t’i thoshte mashalla një mediumi në Kosovë, qoftë ai portal apo televizion.
Natyrisht, këtu ka shumë faktorë dhe një prej tyre është gjithsesi vështirësia financiare me të cilën përballen mediat në Kosovë. Mbase kjo është edhe arsyeja pse televizionet tona prodhojnë aq shumë emisione debatesh – mënyra më e lirë për të prodhuar përmbajtje duke i ftuar disa rreth një tavoline. Televizioni T7, për shembull, shkon aq larg saqë skenografinë e bën të tillë të duket si tavolinë kafeje – taman muhabet kafesh.
Sa për mysafirët në ato studio, edhe këtu mund të flasim gjerë e gjatë, por dua ta përmbyll me një rast konkret të para disa ditësh. Një televizion e kishte ftuar Milaim Zekën në studio dhe po bisedonin për shkarkimin e fundit të bordit të RTK-së. Zeka nuk zgjodhi fjalë për të denigruar, për të përçmuar deputetin Visar Korenica, duke e quajtur me emra prej më të poshtërve që mund të sajojë një mendje e shëndoshë. Po, e shëndoshë po, por kjo nuk më duket se është e shëndoshë dhe këtu kanë faj mediat, mbase edhe shteti (term i gjerë).
Duhet përkufizuar mirë liria e shprehjes. Përkufizim do të thotë vendosje e kufijve, dhe vendosja e kufijve nuk nënkupton domosdo cenim, censurë, privim, por nënkupton një pajtim paraprak, një pëlqim, një kosensus se të gjithë pajtohemi se do të luajmë me ca rregulla të lojës, dhe ai që do t’i shkelë ato, do të dalë nga loja, do të përjashtohet, do të marrë karton të kuq…
Dhe, të mos harrojmë. Nuk ka faj pacienti se është i sëmurë, por faj ka mjeku i cili nuk i jep diagnozë të duhur, dhe gjithsesi, faj ka spitali i cili nuk e trajton si duhet pacientin e vet. Dhe ne duhet të ndalemi së fajësuari pacientin dhe duhet të fillojmë të fajësojmë institucionin i cili kujdeset për mirëqenien e atij pacienti. Dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve që mund ta pësojnë nga dëmi i shkaktuar nga ai pacient.