Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj,ka kritikuar zvarritjen e konstituimit të Kuvendit dhe procesin që lidhet me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Haradinaj tha se çështja e marrëveshjes për presidentin po përdoret si “alibi” për të shtyrë proceset institucionale.
Ai theksoi se seanca konstituive duhet të thirret çdo 48 orë, duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje për situatën aktuale.
Haradinaj foli edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke deklaruar se sipas tij, vazhdimi i mandatit të Thaçit do të ishte një veprim në interes të Kosovës.
“Me të thënë të drejtën është nder edhe i kësaj legjislature dhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se një veprim i tillë, sipas tij, nuk do të duhej të lidhej me afërsitë partiake apo politike, por me atë që e konsideroi si “kundërpërgjigje armiqve të Kosovës”.
“Çështja e marrëveshjes për president edhe kjo është alibi që ndodh qëllimshëm. Pra, e shtyn, e shtyn, e shtyn dhe në këtë mandat të dytë. Çdo 48 orë duhet të thirret seanca, nëse do zgjidhje Kurti, regjimi i Kurtit, me të thënë të drejtën është nder edhe i kësaj legjislature dhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politike, por për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që kurrë nuk flejnë, që t’ua vazhdojmë mandatin”, deklaroi Haradinaj në hollin e Kuvendit.


























