Më 12 tetor, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, takoi në Tiranë kryeministrin Edi Rama. Një ditë më pas, më 13 tetor, protestat u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme. Kjo afërsi datash ngre një pyetje: a kemi të bëjmë thjesht me një rastësi? Kronologjia është e dokumentuar; një lidhje mes dy ngjarjeve mbetet e paprovuar, shkruan gazeta ”The Times of Israel”. Në Izrael mendohet se pas protestave fshihet dora e Presidentit turk Erdogan që tashmë ka prishur marrëdhëniet me kryeministrin Rama, pas dashurisë së tij të hapur me Izraelin.
Pyetja merr kuptim në sfondin e përplasjes së fortë politike mes Ankarasë dhe qeverisë izraelite. Turqia ka kundërshtuar publikisht politikat e Izraelit, duke i cilësuar si burim tensioni dhe destabiliteti rajonal.
Ndërkohë, afrimi i Tiranës me Izraelin është publik: bashkëpunimi përfshin edhe mbrojtjen kibernetike dhe fusha të tjera me rëndësi shtetërore. Është e arsyeshme të analizohet se si ndikojnë këto marrëdhënie në ekuilibrat diplomatikë të Shqipërisë.
Turqia e shikon partneritetin me Shqipërinë si strategjik dhe me sa duket futja e Izraelit kaq thellë në Tiranë, nuk i pëlqen presidentit Erdogan. Ky i fundit ka investuar edhe në stabilitetin e Kosovës në raport me Serbinë. Ndaj interesat turke janë të forta në Ballkanin Perëndimor.
Turqia mbetet në sytë e shqiptarëve si aleat i madh, natyrisht pas SHBA.
Por po aq e nevojshme është të mos harrohet se protestat kishin nisur muaj përpara vizitës së Sa’arit. Pakënaqësitë për arsimin, korrupsionin dhe projektet në bregdet ishin shprehur më herët.
Nëse qeveria ka të dhëna për ndërhyrje të huaj, duhet t’i paraqesë dhe institucionet duhet t’i hetojnë. Deklaratat e mjegullta për “duar të huaja” nuk mjaftojnë. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë nëse dikush kërkon të shfrytëzojë zemërimin e tyre, ashtu siç kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje nga qeveria për problemet që i nxjerrin në shesh.
Qeveria i mori në fillim me frikë protestat masive, por me pas i neglizhoi, i harroi dhe zemërimi u mbars sa plasi mali i dhunës.
Por tashmë protestuesit e dogjën Tiranën. Tani ka nevojë për zgjidhje të situatës, pasi nëse rëndohet do jetë me keq për vendin.
























