Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor, me Shqipërinë si ndalesën e parë të turit. Në qendër të takimeve do të jetë perspektiva evropiane e vendeve të rajonit, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe hapat e ardhshëm drejt zgjerimit.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, von der Leyen do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Në orën 17:30 është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar.
Të enjten, më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas Kosovës, von der Leyen do të vijojë vizitën në Podgoricë, ku do të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.
Turneu i saj në Ballkanin Perëndimor do të përfundojë të premten në Shkup. Atje, ajo pritet të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.


























