Lëvizja VETËVENDOSJE!, Kryeministri Albin Kurti dhe partnerët e koalicionit janë zotuar për një transformim të thellë të transportit publik në Kosovë, përmes jetësimit të Programit.
“Anembanë” një model i ri që synon ta bëjë lëvizjen më të lirshme, më të lehtë dhe më të përballueshme për secilin qytetar.
Sot, transporti publik në Kosovë mbetet i fragmentuar, i paorganizuar dhe shpesh i papërballueshëm për qytetarët. Në shumë komuna mungon trafiku urban funksional, ndërsa lidhjet ndërurbane varen nga sisteme të ndara, pa koordinim dhe pa integrim të mirëfilltë.
Për pasojë, qytetarët detyrohen të përdorin vetura private edhe për udhëtimet më të zakonshme, duke rritur kostot familjare, trafikun dhe ndotjen.


























