Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Ukraina pret që Bashkimi Evropian të sigurojë 30 miliardë euro për të financuar mbrojtjen e vendit në luftën kundër pushtimit rus.
Duke folur për gazetarët, Zelensky tha se këto fonde janë të nevojshme për “mbrojtjen e të gjithë vendit”.
Sipas tij, Ukraina aktualisht përballet me një mungesë prej 27 miliardë dollarësh në buxhetin e mbrojtjes.
Rreth 20 miliardë dollarë nevojiten për pagesat e ushtarëve, si dhe për kompensimin e familjeve të ushtarëve të vrarë dhe shpenzime të tjera të lidhura me luftën.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve shtesë do të përdorej për prodhimin e dronëve, të cilët janë bërë një nga elementët kryesorë të mbrojtjes ukrainase dhe të luftës moderne në front.
“Nevojitet një shumë e konsiderueshme parash. Po punoj për këtë çështje me francezët dhe gjermanët”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas foli gjithashtu për situatën në terren.
Ai pretendoi se forcat ukrainase kanë rimarrë 820 kilometra katrorë territor nga forcat ruse që nga fillimi i vitit, duke përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Dnipropetrovskut.
Megjithatë, presidenti Zelensky pranoi se edhe Rusia ka bërë përparime gjatë të njëjtës periudhë, duke marrë kontrollin e rreth 990 kilometrave katrorë të tjerë të territorit ukrainas.
Zelensky tha se pret që Ukraina të rimarrë territore të tjera deri në fund të vitit.
Shifrat mbi ndryshimet territoriale nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.


























