Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, ka reaguar lidhur me pretendimet e pronarit të restorantit “Liqeni i Dukagjinit” se nuk ka pranuar njoftim zyrtar për mbylljen e aktivitetit, përcjell KosovaPost.
Zogiani ka deklaruar se procesverbali i Inspektoratit të MMPH-së i është dorëzuar fillimisht KRU “Gjakova”, si pronare legjitime e pronës, ndërsa kjo e fundit ia ka përcjellë dokumentin biznesit.
Sipas tij, vendimi zyrtar për mbylljen do t’i dorëzohet biznesit nga Inspektorati gjatë ditës së hënë.
“Procesverbali i Inspektoratit të MMPH i është dorëzuar pronarit legjitim të pronës, KRU ‘Gjakova’, e cila tashmë e ka përcjellë atë te biznesi, ndërsa vendimi zyrtar i Ministrisë dorëzohet ditën e hënë nga Inspektorati”, ka shkruar Zogiani.
Një ditë më parë, ministrja në detyrë e MMPH-së, Fitore Pacolli, njoftoi se Inspektorati i Mjedisit kishte urdhëruar mbylljen e restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, duke pretenduar se aktiviteti zhvillohej në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe në kundërshtim me legjislacionin mjedisor.


























