Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka inauguruar zgjerimet e fundit të infrastrukturës së tij.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet rrjeteve sociale, tha se në kuadër të zgjerimit të aeroportit janë ndërtuar dy hapësira të reja dhe janë shtuar katër porta.
“Këtë javë u mbajt ceremonia e inaugurimit të punimeve të fundit, ku në kuadër të zgjerimit të infrastrukturës janë ndërtuar dy hapësira të reja e janë shtuar katër porta, me rreth 1.300 m2 shtesë ndërtim. Tashmë numri total i portave të fluturimeve mbërrin në 12 nga 8 sa ishin më herët, duke vazhduar me rritjen e kapacitetit të terminalit”, theksoi Bislimi.
Bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi, në inaugurimin e përfundimit të punimeve në aeroport, morën pjesë edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe përfaqësues të aeroportit i cili menaxhohet nga kompania turke LIMAK nga viti 2011.


























