Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i është kundërpërgjigjur Enver Hoxhajt, i cili e akuzoi për keq qeverisje, shkruan Kosova Post.
Bahtiri ka shkruar në Facebook se akuzat e Hoxhajt janë pa argumente.
Tutje ka shkruar Bahtiri se Enver Hoxhaj e din më së miri kush e ka shkatërruar Mitrovicën.
“Se kush e ka shkatërruar Mitrovicën pas luftës, duhet ta dijë më së miri Enver Hoxhaj dhe partia e tij, të cilët qytetin më të zhvilluar ekonomikisht e kanë ndarë në dy pjesë, ndarje të cilën e kanë përdorë grupet e afërta kriminale me PDK-në për kontrabandë dhe në përgjithësi për biznes me serbët e veriut.Mitrovicën e udhëhequr nga PDK-ja e kam gjetur të rrethur me barrikada, me vrasje si asnjë qytet tjetër e me haraç”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Postimi i plotë:
Enver Hoxhaj paska folur për Mitrovicën dhe Qeverisjen time komunale, duke bërë akuza pa asnjë argumentim konkret, por vetëm duke shpifur siç dinë të bëjë partia e tij fushata zgjedhore dhe jo vetëm.
Se kush e ka shkatërruar Mitrovicën pas luftës, duhet ta dijë më së miri Enver Hoxhaj dhe partia e tij, të cilët qytetin më të zhvilluar ekonomikisht e kanë ndarë në dy pjesë, ndarje të cilën e kanë përdorë grupet e afërta kriminale me PDK-në për kontrabandë dhe në përgjithësi për biznes me serbët e veriut.
Mitrovicën e udhëhequr nga PDK-ja e kam gjetur të rrethur me barrikada, me vrasje si asnjë qytet tjetër e me haraç.
Sot, Mitrovica është qytet më i qetë në Kosovën, ku viti 2020 u përmbyll pa asnjë vrasje. Në Mitrovicën që e udhëheqi unë janë bërë investime prej 300 milionë euro, ku prej tyre vetëm kompania “SOWI KOSOVA” po i investon 168 milionë euro në energji të erës në Bajgorë.
Nën qeverisjen e PDK-së qytetarët për ta kryer një shërbim janë detyruar të paguajnë ryshfet tek njërzit që kanë qendruar në kafenet pranë komunë, ndërsa nën qeverisjen time komuna e Mitrovicës sapo është shpallur nga KDI ndër dy komunat më transparente në Kosovë. Në kohën e PDK-së Mitrovica ka qenë qyteti më i ndotur në Kosovë, ndërsa muajin e kaluar Mitrovica është shpallur qyteti më i pastër në Kosovë.
- Enver, ju prej pasluftës ua keni humbur përspektivën e mitrovicasve, duke shkatërruar ‘Trepçën’ përmes vendosjes në krye të saj të ish kryetarit të degës së PDK-së në Mitrovicë;
- Ju e keni dëmtuar Universitetin e Mitrovicës, duke vendosur si rektor ish sekretarin e degës së PDK-së në Mitrovicë; • Ju e keni dëmtuar ATK-në duke e vendosur si drejtor anëtarin e Kryesisë së PDK-së;
- Ju e keni dëmtuar Akademinë e Policisë në Vushtrri, duke e bërë drejtori ish nënkryetarin e komunës që ishte nga partia e juaj;
- Ju e meni shkatërruar administratën komunale, duke punësuar familjarët e drejtorëve tuaj komunal dhe drejtuesve të degës së PDK-së;
- Ju e keni dëmtuar pronën komunale, duke i dhënë një pjesë të madhe zyrtarëve të partisë tuaj;
- Ju e jeni keni dëmtuar buxhetin komunal, ku kam gjetur miliona euro borxh kur kam ardhur në krye të komunës;
- E fundit për nga radha, por e para për nga rëndësia, ju e keni pamundësuar kthimin e shqiptarëve në veri, pasi që njerëzit e partisë tuaj kanë keqpërdorur me fondin për ri-ndërtimin e shtëpive, ku shumica nuk kanë përfunduar kurrë dhe asnjëherë s’kanë mundur të banohen.
Enver, e kuptoj që duke u marrë me mua po dëshiron ta marrësh vëmendjen e publikut në garën tënde imagjinare për kryeministër. Por duhet ta keni parasysh, se ju nuk jeni as kandidat serioz, sepse jeni veç një kukull dhe një servil që Hashim Thaçi e ka lënë për ta zëvendësuar.
Për më tepër, qytetarët e Mitrovicës e dinë më së miri kush punon e mendon për ta, ku ua treguan vendin në dy mandate, e që do t’ua tregojnë vendin edhe sivjet, sepse ata nuk duan që kapot e krimit dhe korrupsionit ta marrin komunën në duart e tyre. Edhe pak muaj kanë mbetur, kur mitrovicasit do të ri-konfirmojnë mbështetjen për qeverisjen time komunale me mbi 60% të votave.
AB