Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, sot ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Këtë lajm, analisti amerikan dhe ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins”, Edward Joseph e ka komentuar duke thënë se vota pro anëtarësimit të Kosovës, i afron serbët drejt Asociacionit të shumëkërkuar.
“Votimi i KiE-së nxit perspektivat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Implementimi (i Asociacionit) do ta bëjë të pashmangshëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si dhe, liberalizimi i vizave më në fund do t’u mundësojë serbëve lëvizje të lirë në BE”, ka shkruar Joseph në Twitter.
Ai ka kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomacinë serbe për përpjekjet e pandalura që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë evropiane.


























