Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pas shkarkimit nga presidentja Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për medie, shkruan Kosova Post.
Gjatë kësaj konference Daka foli rreth shkarkimit të saj nga presidentja e vendit, gjate ditës së djeshme.
Daka tha se këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetëveten, por edhe qesharak.
“Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur” , deklaroi Daka.
Tutje ajo tha se ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së.
“Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Daka.
“Unë kam punuar me shumë presidenta dhe kryeministra dhe asnjëherë nuk kam ngecur në ndonjë pengesë dhe nuk ka pasur asnjëherë ndonjë vërejtje nga ta kundrejt meje”, shtoi ajo.