Zhvillimet e fundit në Palestinë, kanë nxitur reagime edhe në Kosovë. Disa nga deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, më saktë disa nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale, duke e dënuar dhunën e ushtruar ndaj civilëve palestinezë, shkruan Kosova Post.
Eman Rrahmani, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, ka shkruar se vrasjet e fëmijëve, grave e burrave në Palestinë janë të pa pranueshme.
“U bashkohem thirrjeve të gjitha vendeve demokratike për ndalje të menjëhershme te këtyre veprimeve nga shteti i Izraelit. Nga 20 të vrarët në ditën e hënë, 9 prej tyre janë fëmije”, ka shkruar Rrahmani.
Edhe Labinotë Demi Murtezi ka postuar disa fotografi në profilin e saj me mbishkrimin #FreePalestine.
“Palestina dhe palestinezët, jetimat e pambrojtur të “botës së vdekur demokratike”, ka shkruar Demi Murtezi.
Me kauzën palestineze është solidarizuar edhe Fjolla Ujkani, po ashtu deputete e Vetëvendosjes. Ndërkohë që dhuna është përshkallëzuar, mediat ndërkombëtare po raportojnë vazhdimisht për përkeqësimin e situatës atje./KosovaPost/