Dy supergola dhe nga një pikë, Brazili ndalet nga Maroku

Brazili dhe Maroku e kanë nisur me barazim aventurën në Kupën e Botës 2026. Në njërën prej përballjeve më tërheqëse të xhiros së parë, dy kombëtaret barazuan 1:1 në stadiumin “New York New Jersey”, në kuadër të Grupit C.

 

Maroku zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer, duke e vënë në vështirësi pesë herë kampionin e botës me presing të lartë, dalje të shpejta në sulm dhe kontroll më të mirë në mesfushë.

“Luanët e Atlasit” kaluan në epërsi në minutën e 21-të. Brahim Diaz depërtoi nëpër mbrojtjen braziliane dhe e shërbeu Ismael Saibarin, i cili doli përballë Alisson Beckerit dhe e mposhti atë me një goditje mjeshtërore për 1:0.

Megjithatë, epërsia e marokenëve zgjati vetëm 11 minuta.

Vinicius Junior mori topin në krahun e majtë, u fut drejt zonës dhe me një goditje të fuqishme e të saktë e dërgoi topin në këndin e portës së Yassine Bounout, duke barazuar rezultatin në 1:1.

Maroku krijoi më shumë raste gjatë pjesës së parë, ndërsa Bounou ndërhyri me sukses ndaj tentimit akrobatik të Lucas Paquetas në minutat e fundit para pushimit.

Brazili u paraqit më mirë pas pushimit. Përzgjedhësi Carlo Ancelotti bëri ndryshime në formacion, ndërsa skuadra e tij mori më shumë iniciativë dhe e shtyu Marokun drejt zonës së vet. Megjithatë, portieri Bounou ishte i sigurt sa herë që u kërkua ndërhyrja e tij.

Maroku mund ta kishte fituar ndeshjen në minutat shtesë. Neil El Aynaoui provoi nga distanca, por Alisson e ndali goditjen dhe më pas reagoi shpejt edhe ndaj tentimit të Ayoube Amaimounit.

Pas ndeshjes, Ancelotti pranoi se Brazili nuk e pati fillimin e dëshiruar.

“Nuk e nisëm mirë dhe kjo më shqetëson pak”, deklaroi trajneri italian për FIFA-n.

Ai theksoi se futbollistët e tij humbën shumë duele dhe topa gjatë pjesës së parë, si dhe patën vështirësi për ta kaluar presingun e Marokut.

“Nuk jam plotësisht i kënaqur. Prisja një fillim më të mirë, por gjëra të tilla mund të ndodhin. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme”, shtoi Ancelotti.

Në anën tjetër, përzgjedhësi i Marokut, Mohamed Ouahbi, u shpreh krenar për paraqitjen, por zbuloi se lojtarët e tij nuk ishin plotësisht të kënaqur me rezultatin.

“Lojtarët janë të zhgënjyer, sepse donin të fitonin”, deklaroi Ouahbi, duke vlerësuar guximin dhe disiplinën e skuadrës së tij ndaj njërit prej favoritëve të turneut.

Brazili luajti pa Neymarin, i cili mungoi për shkak të lëndimit.

Pas këtij barazimi, të dyja kombëtaret kanë nga një pikë në Grupin C. Në xhiron e dytë, Brazili do të përballet me Haitin, ndërsa Maroku do të luajë kundër Skocisë.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish