E djathta ekstreme e Evropës dhe ISIS janë dy faqet e së njëjtës medalje, mes tyre nuk ka dallim.
Shkruan: Fadil Pushkolli
Derisa grupet e ISIS-it po vrasin muslimanë të pafajshëm në Lindjen e Mesme duke pretenduar se viktimat e tyre janë pabesimtarë dhe ateistë, e djathta ekstreme në Evropë po vret gjithashtu muslimanë të pafajshëm, duke pretenduar se ata janë të huaj dhe përbëjnë një kërcënim të fortë për identitetin evropian.
Në fakt, rritja e Islamofobisë në Amerikën e Veriut dhe Evropë, ka qenë e lidhur me rritjen e popullaritetit të së djathtës radikale.
Sidoqoftë, mediat perëndimore gjithmonë theksojnë intensivisht aktet terroriste të kryera nga organizatat terroriste në Lindjen e Mesme, të tilla si ISIS, dhe me qëllim injorojnë nxjerrjen në pah të akteve terroriste të kryera nga e djathta ekstreme në Evropë.
Mediat perëndimore gjithashtu shmangin qëllimisht theksimin e marrëdhënies midis diskursit politik nxitës të partive të ekstremit të djathtë, ngritjes së Islamofobisë dhe krimeve brutale për shkak të urrejtjes kundër muslimanëve.
Grupet e tilla ekstreme, gëzuan një përlindje fuqish politike në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, ku dëshmuan sukseset e jashtëzakonshme. Rikthimi i beftë në majën e politikës evropiane të të ashtuquajturave parti radikale, populiste dhe të ekstremit të djathtë, përbënë një histori në vetvete.
Këto grupe ekstremiste gjithashtu kanë gëzuar një rritje të qartë në të gjitha vendet perëndimore, qoftë në zgjedhjet e qeverive lokale apo zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Më e rëndësishmja, këto parti tashmë kanë arritur të krijojnë një lloj kaosi brenda sistemeve politike evropiane, pasi partitë tradicionale të krahut të djathtë tani janë të detyruara të bashkëpunojnë me partitë e ekstremit të djathtë për të arritur një shumicë të qëndrueshme. Kjo pasi këto parti u refuzuan plotësisht në të gjitha parlamentet. Për shembull, kur partia ekstremiste austriake, Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ) arriti në 1999 të hynte në parlament, përgjigja evropiane ishte një bojkot diplomatik.
Për ta fituar besimin e votuesit, këto parti përdorën një lloj diskursi të veçantë politik. Këto mbështeten në kritikimin e politikave ekonomike dhe sociale të demokracive perëndimore, duke deklaruar armiqësi ndaj të huajve, duke e shembur pluralizmin kulturor dhe duke pretenduar të mbrojnë identitetin kombëtar.
Kjo është arsyeja pse këto parti i kanë targetuar muslimanët e pafajshëm si ‘kurban’ për të arritur popullaritet midis elektoratit nën maskën e mbrojtjes së vlerave liberale, lirisë së shprehjes dhe të drejtave të grave.
Ironia është se gjithë kjo u bë me mbështetje të gjerë nga mediat, kështu që diskursi i armiqësisë kundër muslimanëve u shfaq i pranueshëm shoqërisht dhe politikisht. Në të vërtetë, ne po jetojmë në një epokë ku politika radikale e djathtë po bëhet gjithnjë e më e ‘integruar’, duke ri-shtrirë ndikimin tek njerëzit në mënyrë të vrullshme, për herë të parë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kjo pavarësisht rreziqeve që lidhen me arritjen e aktivitetit të së djathtës radikale, të cilat nuk mund të injorohen, meqë kërcënon të helmojë dhe të dëmtojë marrëdhëniet shoqërore e të dobësojë vetë demokracinë liberale.
E djathta ekstreme ka filluar të përdorë metoda si terrorizmi dhe vrasjet në shoqëritë perëndimore, nën një heshtje të dyshimtë ndërkombëtare, duke u shndërruar në një kërcënim për qytetarët. Asaj po i shquhet i njëjti stil, i ngjashëm me grupet ekstremiste dhe terroriste në Lindje. Më e rrezikshme, të dy grupet, sikurse ‘ekstremi i djathtë’ në Perëndim dhe ISIS në lindje, drejtojnë sulmet e tyre kundër muslimanëve.
Kjo prirje terroriste duhet të parandalohet pasi e djathta ekstreme dhe ISIS janë dy anë të së njëjtës medajle. Terrorizmi nuk është vetëm një problem në Lindje, por është gjithashtu një industri perëndimore që rritet dhe lulëzon ditë pas dite pa pengesa. Duhet të shpiket një pengesë për të gjitha shkeljet e të drejtave të muslimanëve në Perëndim dhe Lindje.