Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për S.U., ndaj të cilit kanë nisur hetimet për sulm seksual ndaj një vajze të mitur, të moshës 15-vjeçare.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë, kur i dyshuari dhe viktima kanë qenë gjatë gjithë natës bashkë, periudhë kjo kur vajza ishte raportuar e zhdukur.
Gjithçka u zbulua pasi viktima u largua nga shtëpia dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj. Kjo ka alarmuar familjen, të cilët menjëherë kanë denoncuar rastin dhe kanë filluar kërkimet për vajzën.
Vajza ka deklaruar se ka qenë bashkë me të dashurin e saj, por që nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale. Sipas dëshmisë së saj, ata janë në lidhje që disa muaj, pasi kanë ndjenja për njëri-tjerrin.
Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit në drejtim të veprës penale “Sulm seksual”.


























