Në fillim të javës së ardhshme, “ylli” francez, Kylian Mbappe do të ketë një takim me presidentin e PSG Al-Kheklaifi, ku do t’i komunikojë vendimin për të ardhmen e tij.
Në varësi të vendimit të lojtari, klubi parizien do të bëjë lëvizjen e radhës. Nëse do të rinovojë kontratën, kuptohet do të ketë festë. Nëse nuk pranon të rinovojë por qëndron në Paris në respektim të kontratës, atëherë klubi do të krijojë një strategji për ta bindur gjatë sezonit që të ndryshojë mendje. Por nëse Mbappe është i vendosur për të mos vazhduar më në “Parc des Princes”, atëherë PSG do të detyrohet ta shesë për një shumë të majme, për të mos e humbur pas një viti me parametër zero.
Kylian Mbappe Psg
Në fakt, me mbërritjen e Messit në Paris, janë shtuar shanset që Mbappe të qëndrojë, pasi do të bënte pjesë në treshen e ëndrrave me Neymarin dhe “yllin” argjentinas. 22-vjeçari ka publikuar në “Tëitter” foto nga takimi me 6 herë fituesin e Topit të Artë në terrenin stërvitor të PSG-së. “Mirë se vini në Paris, Leo!”, ka shkruar Kylian në profilin e tij.
Al-Kheliafi, një ditë më parë, kur u pyet nëse Mbappe do të qëndronte, deklaroi se me afrimin e Messit nuk kishte çfarë të bënte më shumë për ta bindur. Fjala e fundit është e Mbappesë.