Komuna e Ferizajt do të përfitojë 2 milionë e 815 mijë euro nga Qeveria e Kosovës për Projektin e Banimit Social Adekuat, përcjell KosovaPost.
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen për realizimin e projektit së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Në kuadër të këtij investimi do të trajtohen gjithsej 51 njësi dhe shtëpi, prej tyre:
32 njësi të reja të banimit social;
11 shtëpi do të renovohen;
8 shtëpi do të rindërtohen.
Sipas Pacollit, projekti synon të rrisë stokun e banimit social dhe të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e jetesës për familjet e cenueshme.
Në këtë projekt do të përfshihen edhe familje nga komunitetet jo-shumicë, me qëllim që të sigurohen kushte më të mira dhe të denja të banimit për familjet në nevojë.
“Ky investim kombinon rritjen e stokut të banimit social me përmirësimin e drejtpërdrejtë të kushteve të banimit për familjet e cenueshme”, ka shkruar Pacolli.


























