Gazeta spanjolle El Pais, duke pretenduar se ka arritur në dokumentet e përgjigjes me shkrim të SHBA-së dhe NATO-s për ofertat e Rusisë për garancitë e sigurisë, ka ndarë me publikun dokumentet në fjalë, përcjell KosovaPost.
Sipas lajmit i cili bazohet në gazetën El Pais, gazeta spanjolle publikoi dokumentet që arriti dhe theksoi se Uashingtoni është i gatshëm të konsultohet me Moskën për çështjet e mëposhtme:
1. Mekanizmi për mosvendosjen e raketave të lundrimit Tomahawk në Rumani dhe Poloni.
2. Detyrimet e ndërsjella për të kufizuar vendosjen e sistemeve dhe trupave sulmuese raketore në Ukrainë.
3. Marrëveshja alternative START-3 (Traktati për Reduktimin e Armëve Sulmuese Strategjike), i cili parashikon kontrollin e dy llojeve të reja të armëve bërthamore dhe raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër.
4. Masa shtesë për parandalimin e aksidenteve në det dhe në ajër.
Nga ana tjetër, raporti pretendonte se Perëndimi kishte hequr dorë nga vendosja e armëve bërthamore në Evropën Lindore.
Sipas dokumenteve të publikuara nga gazeta spanjolle El Pais, Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë të gatshme të negociojnë nënshkrimin e dokumenteve për çështjet e sigurisë me Rusinë.
Gjithashtu, NATO thekson se nuk dëshiron konfrontim, por nënvizon se nuk do të bëjë asnjë lëshim për çështje me rëndësi thelbësore për të.
Përveç kësaj, sipas El Pais, një burim diplomatik konfirmoi se dokumentet e publikuara nga gazeta spanjolle Pais janë origjinale.
Lavrov paralajmëroi se përgjigja nga Rusia do të jepet javën e ardhshme.
Siç do të mbahet mend, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili pak më parë foli për përgjigjet me shkrim të Uashingtonit, theksoi se SHBA-të nuk iu përgjigjën pozitivisht çështjes më të rëndësishme, që është moszgjerimi i NATO-s në lindje dhe se presidenti Putin do të vendoste për hapat që do të ndërmerren.
Duke vënë në dukje se Uashingtoni kërkoi që përgjigja me shkrim të mos ndahej me publikun, Lavrov tha: “Prandaj, nuk kam dyshim se dokumenti do të zbulohet sa më shpejt të jetë e mundur”, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara kishin marrë miratimin nga të gjithë aleatët e saj dhe Ukraina përpara se të dërgojë këtë përgjigje./KosovaPost/.