Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të homologut të tij, Gjenerallejtënant Arben Kingji, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, transmeton KosovaPost.
Vizita nisi me pritjen zyrtare dhe nderime të larta ushtarake për Gjeneral Jasharin, pas së cilës u zhvillua takimi ndërmjet dy delegacioneve. Gjatë këtij takimi, Gjeneral Kingji informoi homologun e tij lidhur me të arriturat dhe zhvillimet e FARSH nën udhëheqjen e tij. Nga ana e tij, Gjeneral Jashari e përgëzoi për këto zhvillime dhe vlerësoi kontributin e FARSH në garantimin e sigurisë rajonale, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës.
Në njoftim thuhet se dy komandantët diskutuan gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën ushtarake, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta dhe rritjes së ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura të të dy vendeve.
Në kuadër të vizitës zyrtare, Gjeneral Jashari u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu. Ministri Vengu e njoftoi për sfidat dhe sukseset e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARSH, si dhe për angazhimin e tyre në kuadër të NATO-së. Gjeneral Jashari e vlerësoi lart mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë FSK-së në zhvillimin e kapaciteteve të saj përmes trajnimeve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Delegacioni i FSK-së vizitoi gjithashtu Bazën Ajrore të Kuçovës, ku u njohën nga afër me investimet dhe procesin e modernizimit të kësaj baze strategjike.
“Kjo vizitë është dëshmi e përkushtimit bilateral për bashkëpunim konkret në rritjen e kapaciteteve të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e FSK-së.