Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000 kur në veri të Mitrovicës shqiptarë civilë u ekzekutuan dhe shumë të tjerë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre.
Haxhiu ka thënë se Serbia ka shkaktuar shumë krime e dëme në Kosovë dhe se populli “ka përjetuar në lëkurën e tij këtë gjë”.
“Kur të gjithë besonin se çlirimi i Kosovës ishte kryer në qershorin e vitit 1999, në prani edhe të forcave e misionit ndërkombëtar, tetë muaj më pas, në veri të Mitrovicës popullsia shqiptare po përjetonte një tmerr tjetër”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Në këtë kontekst, ajo është shprehur se ata që po i kërkojnë Kosovës të bëjë më shumë kompromise karshi Serbisë, po i hyjnë në hak asaj.
“Ishte kjo Nata e Tmerrit e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ku 10 shqiptarë u ekzekutuan, 1564 familje u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe 11364 persona të tmerruar, dhunshëm u detyruan të largohen për të gjetur strehim për sigurinë e jetës së tyre”.
Ndryshe, së fundmi janë shtuar thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.