Haxhiu dekreton 6 ligje për energji, infrastrukturë dhe zhvillim evropian

Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ka dekretuar shpalljen e gjashtë ligjeve të rëndësishme të miratuara nga Kuvendi, të cilat prekin drejtpërdrejt sektorë kyç të zhvillimit të vendit.

Sipas saj, këto ligje hapin rrugë për investime në energji të pastër, rritjen e efiçencës në ndërtesat publike, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe trajtimin e ujërave të zeza. Ajo theksoi se ato gjithashtu forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë në qasjen në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor.

Haxhiu shtoi se përmes këtyre hapave, Kosova vazhdon të thellojë partneritetin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me Bashkimi Evropian, duke orientuar zhvillimin drejt qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian.

Ligjet e dekretuara përfshijnë marrëveshje të rëndësishme financiare dhe zhvillimore, si ajo me Banka Evropiane për Investime për projektin e energjisë diellore fotovoltaike në KEK – “Porta Globale”, si dhe marrëveshjen me Fondi Saudit për Zhvillim për financimin shtesë të projektit të rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë–Mitrovicë.

Po ashtu, është ratifikuar amendamenti i marrëveshjes financiare me Bashkimin Evropian për programin IPA 2017, si dhe marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.

Ndër ligjet e tjera janë edhe marrëveshjet me Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, projekte që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish