Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga mediat serbe, në të cilat Milan Radoiçiq shfaqet përkrah djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim elektoral të partisë në pushtet në Kragujevc, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi, Haxhiu ka thënë se këto pamje dëshmojnë, sipas saj, se Radoiçiqi jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por edhe shfaqet në rrethet e afërta me pushtetin atje.
Ajo ka rikujtuar sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku
Sipas Haxhiut, sulmi kishte për qëllim cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa institucionet e vendit arritën ta zmbrapsin atë.
Megjithatë, ajo ka theksuar se përgjegjësit për organizimin e sulmit ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Haxhiu ka nënvizuar se Radoiçiqi, i cili publikisht ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, në vend që t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, po shfaqet lirshëm në tubime të partisë në pushtet në Serbi.
Ajo ka vlerësuar se kjo situatë ngre pikëpyetje për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, duke kërkuar që ato t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.
Kryetarja e Kuvendit u ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj situate, duke kërkuar trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë.
Sipas saj, tolerimi i mëtejshëm do të dërgonte mesazhin se sulmet e tilla mund të mbeten pa ndëshkim kur autorët gëzojnë mbrojtje politike.
Në fund të reagimit, Haxhiu ka theksuar se drejtësia për rreshterin Afrim Bunjaku dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit mbeten detyrim i patjetërsueshëm për Kosovën.
“Vendi i tyre është para gjykatave të Republikës së Kosovës. As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin”, ka shkruar Haxhiu.


























