Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka komentuar kërcënimin për eliminim fizik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të publikuar nga organizata terroriste serbe “Brigada e Veriut”.
Ibishi, në “FIVE” në Dukagjin, deklaroi se çdo kërcënim duhet trajtuar me seriozitet, sidomos kur vjen nga një organizatë e shpallur terroriste.
Sipas Ibishit, situata aktuale e sigurisë mbetet e ndjeshme, ndërsa kërcënime të tilla lidhen me ndikime të inteligjencës serbe dhe ruse.
“Çdo kërcënim është serioz, por realiteti është se “Brigada e Veriut” është e shpallur si organizata terroriste dhe adresimi i saj është çështje për organet e hetuesisë që të merren me to dhe tashmë është një fazë e brishtë e gjendjes së sigurisë dhe kërcënime të tilla shfaqen nga organizata të tilla që në prapavijë e kanë inteligjencën serbe dhe ruse dhe gjithsesi duhet të merren me seriozitet”, u shpreh Ibishi.
Fetoshi: Kërcënimi i “Brigadës së Veriut” ndaj Kurtit është komunikim strategjik për destabilizim para 7 qershorit
Ai theksoi se institucionet e sigurisë dhe hetuesisë duhet të trajtojnë me prioritet rastet që lidhen me kërcënime terroriste dhe destabilizim të mundshëm të situatës në vend.
Ibishi, mes tjerash, foli edhe për rëndësinë e vizitës së ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në Turqi, duke e cilësuar Ankaranë si një partner strategjik.
Ai tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë të rëndësishme jo vetëm në aspektin politik dhe diplomatik, por edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Turqinë e kemi një partner tonin strategjik dhe është një fat i mirë përveç marrëdhënieve të mira politike e diplomatike e kemi edhe në fushën e sigurisë një përkrahës shumë të mirë edhe për anëtarësimin tonë në NATO e edhe për blerje të pajisje ushtarake”, tha ai./Tv Dukagjini/


























