Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, beson se ankesat e opozitës lidhur me mënyrën se si dhanë dorëheqje Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur deputetë, janë të bazuara.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dështoi sot pasi deputetët nuk e votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.
PDK-ja dhe LDK-ja nuk i pranuan dorëheqjet e dorëzuara nga kabineti qeveritar dhe insistuan në dorëheqje formale të tyre për të shmangur konfliktin e interesit mes funksionit të ministrit dhe deputetit.
Kurti i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”, por Cakolli thotë se argumenti i opozitës ka bazë ligjore.
“Dorëheqja e kryeministrit nuk është e mjaftueshme, çdo ministër që ka fituar mandat si deputet duhet të dorëzojë dorëheqjen individualisht dhe në rrugë zyrtare”, thotë mes tjerash Cakolli.
Ai thekson se nuk është e pranueshme që këto dokumente të dorëzohen në mënyrë informale apo përmes individëve të ndryshëm në ambientet e Kuvendit. Procedura e duhur përfshin dorëzimin zyrtar në Sekretarinë e Kuvendit, e cila më pas e përcjell dokumentacionin tek Komisioni përkatës.
“Sepse unë besoj që nuk është e hijshme që këto të sillen nga individë të caktuar, të barten shkresat me dorë nëpër hollët e Kuvendit. Por, ka përcaktim të procedurave se si bëhet pranimi i një shkrese nga Qeveria”, thotë Cakolli.
Por, ai thotë se ndërprerja nuk u shkaktua vetëm nga mungesa e dorëheqjeve formale të ministrave dhe kryeministrit, por edhe për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm për të votuar raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.


























