Ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar për vrasjen e 25-vjeçares Jetlira Foniqi, e cila ishte shtatzënë në javën e 34-t, përcjell KosovaPost.
Kusari-Lila ka shprehur ngushëllime për familjen Foniqi dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën Jetlirën.
“Jetlira Foniqi, vetëm 25 vjeçe, shtatzënë në javën e 34-t, u vra në shtëpinë e saj, aty ku duhej të ishte më e sigurt, aty ku duhej të ndiente dashuri, mbrojtje dhe qetësi. Ajo po priste me ëmbëlsi ardhjen e fëmijës së saj, por ajo pritje u ndërpre tragjikisht nga ai që duhej të ishte pranë saj dhe fëmijës së tyre, për t’i mbrojtur, për t’i dashur dhe për ta jetuar bashkë me ta këtë gëzim.”, ka shkruar Kusari-Lila.
“Kur vritet një grua, nuk humbet vetëm një jetë. Humbin ëndrra, një familje dhe një e ardhme. E kur vritet një grua shtatzënë, humbet edhe një jetë që nuk pati mundësinë të fillonte. Ngushëllime familjes Foniqi, ngushëllime të gjithëve që e njohën dhe deshën Jetlirën. Uroj që kjo të jetë hera e fundit që një familje përballet me një tragjedi të tillë.”, shtoi ajo.


























