Durim Berisha, avokat i njohur, i cili ka ushtruar edhe funksionin e këshilltarit në zyrën e Kryeministrit Albin Kurti në Qeverinë Kurti I, ka thënë që Vetëvendosje duhet të reflektojë thellë pas zgjedhjeve të fundit, transmeton Kosova Post.
Në esencë Berisha ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet ta mbështes fuqinë e saj në kultin e liderit, por t’iu hapë rrugë edhe figurave të reja.
“Duke qenë të vetëdijshëm se Lëvizja Vetëvendosje potencialin elektoral e bazon në liderin e saj Albin Kurti, ish-presidenti Thaçi dhe koalicioni i kaluar që prodhoi qeverinë ilegale Hoti, patën planifikuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.
Me ato ndryshime Kosova më nuk do të ishte një zonë e vetme zgjedhore. Kësisoj Albin Kurti do të mund të fitonte bindshëm regjionin në të cilin kandidon ai, ndërsa tribalizmi do të triumfonte kudo tjetër” – ka shkruar ai ndër të tjera.
Ai shtjellon më tutje se si:
“Anëtarët e deritanishëm të Lëvizjes Vetëvedosje, të cilët i kanë qëndruar besnik lëvizjes në një mënyrë janë shpërblyer në përbërjen e ekzekutivit. Mirëpo, të njëjtit duhet t’i hapin rrugë figurave të reja, të cilat për dallim nga “garda e vjetër”, po dëshmojnë se janë të aftë të fitojnë besimin e qytetarëve përmes ofertës së tyre.
Lëvizja Vetëvendosje duhet të angazhohet që të ofrojë ndryshimin e premtuar – drejtësi dhe vende pune. Dështimi për të realizuar ndryshimin, për fat të keq i kthen në pushtet ata që për 20 vite na vodhën jo vetëm të mirat publike, por edhe shpresën se Kosova do bëhet shtet (funksional).”
Pas zgjedhjeve të fundit lokale të cilat u mbajtën këtë të diele, Lëvizja Vetëvendosje mbeti e vetmja prej partive të mëdha, e cila nuk ia doli ta siguronte drejtimin e ndonjë komune pa balotazh. Menjëherë pas publikimit të rezultateve, kritikat dhe thirrjet për reflektim, kanë shpërthyer gjithandej./KosovaPost/