KFOR-i nis largimin gradual nga Ura e Ibrit, Policia merr përgjegjësinë

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka konfirmuar nisjen e procesit gradual të largimit nga prania e përhershme në Urën Kryesore të Mitrovicës. KFOR-i thotë se vendimi është pjesë e optimizimit të pozicionimit të misionit, në funksion të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Misioni i KFOR-it ka nisur kalimin gradual nga prania e përhershme në Urën Kryesore në Mitrovicë. RTK ka raportuar më herët se nga sot policia e Kosovë do të marr gradualisht sigurinë e urës së Ibrit.

Në një përgjigje për RTK-në, KFOR-i thotë se ky proces është pjesë e optimizimit të pozicionimit të misionit dhe se do të zhvillohet gradualisht dhe në bazë të kushteve në terren.

Sipas KFOR-it, procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet gjithashtu se për zhvillimet është informuar rregullisht edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, sipas misionit të NATO-s, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.

Megjithatë, KFOR-i thekson se largimi i pranisë së përhershme nga ura nuk nënkupton tërheqjen nga Mitrovica apo nga veriu i Kosovës.

“KFOR-i do të ruajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Misioni i NATO-s deklaron se personeli i tij është i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm dhe se KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në kuadër të mandatit të tij të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

KFOR-i thotë se vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Pra, ndryshimi i paralajmëruar nga KFOR-i është një riorganizim i pranisë në urë, jo një tërheqje e misionit nga Mitrovica apo veriu i Kosovës.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish