Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka caktuar datën e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi procesi varet nga përfundimi i procedurave ankimore që po zhvillohen në institucionet kompetente.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se institucioni është në pritje të vendimeve që do të merren lidhur me ankesat e paraqitura, për të parë nëse ato do të kenë ndikim apo detyrime konkrete për procesin zgjedhor.
Sipas tij, vetëm pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore dhe pranimit të vendimeve përkatëse, KQZ-ja do të mund të vazhdojë me hapat e nevojshëm drejt certifikimit të rezultateve.
Ndërkohë, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar dy ankesa që lidhen me procesin e rinumërimit të votave. Afati ligjor për paraqitjen e ankesave ka përfunduar të dielën në mesditë.
PZAP-ja tashmë ka në dispozicion tre ditë kohë për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këto ankesa.
Të dyja parashtresat janë bërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëra e dorëzuar të premten dhe tjetra një ditë më vonë.


























