Në fjalën e tij Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, reflektoi në retrospektivë, duke marr shkas nga simbolet e ndryshme shtetërore të cilat i përfaqësojnë dy shtetet e shqiptarëve, të cilat, edhe pse të ndryshme, sipas tij, nuk simbolizojnë dallimin, shkruan Kosova Post.
“Këngëtari ynë Nikol Nikprelaj thoshte se jemi si një lis me dy degë. Pra me pak fjalë jemi një, pa çka me dy dialektetë cilat sa shkon e po njësohen falë ndërveprimit në shumë fusha, e falë muzikës, artit, sportit etj.” – tha Kryeministri Kurti, në fillim të fjalimit të tij. Ai, kujtoi kështu edhe traumën që përjetoi shoqëria e Kosovës me ndërrimin e befasishëm të simboleve, e cila traumë rezultoi tha Kurti me një boshllëk kolektiv.
“Pra, befas e gjithë shoqëria në Kosovë humbi diçka aq të vlefshme për të cilën jo që nuk u pyet por nuk u lejua as të debatohet. Kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme e që e bënë edhe më të dhimbshme fakti që nuk është politikisht korrekt që të diskutohet për të, pra një kërkesë për të ndrydhë një dëshirë e një mendim”, është shprehur Kurti.
Tutje kryeministri Kurti tha se: “Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi. Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë do të ishte sa tepri po aq edhe shkurtpamësi. Të thuash se angazhohesh për bashkimin kombëtar do të shquanin për nacionalist. E të thuash se do bashkohemi në Bashkimin Evropian të shquajnë për diplomat.”
Duke e marr parasysh këtë kontekst, ai tha se, megjithatë, shtrirja dhe forcimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, është i mundur. Ndër detyrat themelore, që iu ngarkohen udhëheqësve shtetëror, sipas tij, është forcimi i shteteve:
“Le të flasim si diplomatë, por të punojmë si patriotë” – tha ndër të tjera ai, duke shtjelluar më tej se:
“…si patriotë duhet të forcojmë të dy shtetet tona. Sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar; të luftosh për lirinë e mediave dhe lirinë e mendimit; të luftosh për gjyqësor të pavarur e për ekonomi gjithpërfshirëse me drejtësi sociale. Vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndërrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenar në vendin e tyre.”
Mbledhja ka vazhduar më pas me shpalimin e protokollit të mbledhjes, përkatësisht marrëveshjeve të cilat pritet të nënshkruhen. Për më shumë, u është dhënë fjala ministrave të brendshëm, prej të cilëve u kërkua që “tua lehtësojnë” jetën qytetarëve shqiptarë këndej e andej kufirit./KosovaPost/