Kryeministri Albin Kurti ka uruar Slloveninë për 30 vjetorin e pavarësisë, shkruan Kosova Post.
Përmes një shkrimi në Facebook ai ka thënë se Sllovenia është model suksesi jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë.
“Në këtë ditë feste për Slloveninë kujtojmë jo vetëm raportet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve e popujve tanë, por edhe shembullin që kemi marrë gjithnjë nga ta për kulturën e punës dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Sllovenia paraqet model suksesi jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, për jetën e zhvilluar sociale që shkon krahas me zhvillimin ekonomik. Në 30 vjetorin e Pavarësisë, urojmë sllovenët, shtetin dhe udhëheqësit e tyre: Vse najboljše, Slovenija!”, ka shkruar Kurti.
Postimi i tij i plotë:
25 qershori shënon ditën e shtetësisë së Sllovenisë, vendit tonë mik që u shkëput e para nga Jugosllavia. Ky vit është jubilar sepse shënohet përvjetori i tridhjetë i pavarësimit të vendit. Në 25 qershor të vitit 1991 me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kartën Themelore Kushtetuese, Sllovenia edhe formalisht u shpall Republikë e pavarur teksa vetëm dy ditë më pas Armata Jugosllave nisën sulmet ushtarake mbi të për filluar kështu edhe lufta për pavarësimin e vendit që zgjati 10 ditë.
Populli dhe shteti slloven ishin të vendosur në ecjen e tyre drejt shkëputjes nga ish Jugosllavia. Në anën tjetër, akti i 25 qershorit 1991 është pandashëm i lidhur me referendumin e 23 dhjetorit 1990 në të cilin afro 90% e popullit slloven votuan që Sllovenia të bëhet shtet sovran dhe i pavarur.
Në këtë ditë feste për Slloveninë kujtojmë jo vetëm raportet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve e popujve tanë, por edhe shembullin që kemi marrë gjithnjë nga ta për kulturën e punës dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Sllovenia paraqet model suksesi jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, për jetën e zhvilluar sociale që shkon krahas me zhvillimin ekonomik.
Në 30 vjetorin e Pavarësisë, urojmë sllovenët, shtetin dhe udhëheqësit e tyre:
Vse najboljše, Slovenija!