Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se në takimet që ka zhvilluar në New York ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë juridikisht e moralisht dhe të pasaktë historikisht e faktikisht, duke theksuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe se pritjet janë që në fazën e Apelit të adresohen, siç tha ai, padrejtësitë dhe mangësitë e aktgjykimit.
“Në secilën takim në New York unë shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht dhe i pasaktë historikisht e faktikisht. Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar dhe ajo që është provuar dhe vendosur nga Gjykata, procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në Apel të adresojmë padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se të dielën ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së, ku, sipas tij, është diskutuar për veprimet e përbashkëta lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit, si dhe për sfidat institucionale, politike dhe shtetërore që e presin Kosovën.
Kurti e ka përmendur edhe Deklaratën e miratuar në Kuvend me 99 vota për, duke e cilësuar atë si hap të parë të përbashkët.
Sipas tij, kjo deklaratë, përtej efektit juridik, paraqet shprehje të vullnetit të qytetarëve përmes përfaqësuesve të tyre.
Kryeministri shtoi se Qeveria, në bashkëpunim me institucionet dhe përfaqësuesit politikë, do të angazhohet për të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për korrigjimin e aktgjykimit.
“Të dielën kam zhvilluar takime të ndara me kryetarë të PDK-së dhe LDK-së për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit por edhe për sfidat që na presin përpara në aspektin institucionale dhe politik e shtetëror. Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvend është hap i parë i përbashkët më shumë se sa që krijon efekt juridik është prehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Andaj mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar, teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse sikurse edhe me ekspert të fushës, Si kryeministër do të bëjmë gjithë çfarë dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm për korrigjimin e këtij aktgjykimi”, ka deklaruar Kurti.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar më 28 shtator Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara me 99 vota për, ndërsa në të kërkohet edhe bashkërendimi i veprimeve juridike, institucionale dhe diplomatike./


























