Ministria e Ekonomisë ka mbajtur mbledhjen e parë konstituive të Bordit të Korporatës për Ruajtjen e Energjisë (KRE Sh.A.), ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kryeministri Kurti tha se krijimi i kësaj ndërmarrjeje është pjesë e angazhimeve të Qeverisë për të siguruar që investimi në bateritë për ruajtjen e energjisë të shoqërohet edhe me krijimin e një kompanie që do t’i zotërojë dhe menaxhojë ato.
“Që në hartimin e Programit Kompakt me partnerët amerikanë, kemi punuar që investimi në bateri të shoqërohet me krijimin e ndërmarrjes e cila do t’i zotërojë dhe do t’i menaxhojë ato”, tha Kurti.
Ai theksoi se KRE-ja është 100 për qind në pronësi të Republikës së Kosovës dhe se ndërmarrja duhet të funksionojë mbi parimet e menaxhimit të mirë, profesionalizmit dhe llogaridhënies.
“KRE-ja është 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, pra është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Pasurinë publike e mbrojmë duke e mirëmenaxhuar dhe duke e shtuar. Ndërmarrjet tona publike duhet të jenë të suksesshme, të krijojnë vlerë ekonomike dhe këtë vlerë ta vënë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, Programi Kompakt ka vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Kurti bëri të ditur se KRE-ja do të ketë në pronësi dhe do të operojë sistemin e baterive në Istog, me fuqi prej 125 MW dhe kapacitet për ruajtjen e 250 MWh energji. Së bashku me sistemin prej 90 MWh të KOSTT-it në Ferizaj, Kosova pritet të ketë 340 MWh kapacitet të ri për ruajtjen e energjisë në pronësi publike.
Ai shpjegoi se bateritë do të mundësojnë ruajtjen e energjisë kur ka teprica dhe kthimin e saj në rrjet gjatë periudhave kur kërkesa është më e lartë, duke ndihmuar në uljen e nevojës për importe dhe në balancimin e sistemit elektroenergjetik.
“Teknologjisë së re duhet t’i përgjigjemi me qeverisje të mirë. Qytetarëve, të cilëve u përket kjo ndërmarrje, u detyrohemi përgjegjësi për çdo vendim”, tha Kurti, duke kërkuar nga anëtarët e bordit që ndërmarrjen ta ndërtojnë mbi rekrutimin me meritë, vendimmarrjen profesionale dhe llogaridhënien.
Kurti falënderoi ministren Rizvanolli, ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, MCC-në dhe MCA Kosovën për bashkëpunimin, ndërsa shprehu mirënjohje për Qeverinë dhe popullin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të Kosovës.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se përmes Programit Kompakt synohet që investimi t’i shërbejë Kosovës edhe përtej kohëzgjatjes së vetë programit, duke krijuar njohuri dhe kapacitete vendore për menaxhimin e baterive dhe zhvillimin e mëtejmë të tregut të energjisë.
Ajo theksoi se projekti është përgatitur në bashkëpunim me MCC-në dhe Qeverinë amerikane, duke marrë parasysh nevojat e të gjithë sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Sipas saj, modernizimi i termocentraleve të KEK-ut dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme do të rrisin prodhimin vendor, ndërsa bateritë do të ndihmojnë në adresimin e mungesës së fleksibilitetit të sistemit.
Ministrja bëri të ditur se dy kompani amerikane tashmë kanë paraqitur oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive. Sipas planifikimeve, punimet pritet të fillojnë vitin e ardhshëm dhe të përfundojnë në vitin 2028.


























