Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se në buxhetin e vitit 2027 do të përfshihet veç tjerash edhe mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në shkallën e apelit, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Kryeministri Kurti, i cili është pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu Shoshi lidhur me atë nëse Qeveria ka ndarë buxhet për zbatimin e strategjisë shtetërore në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, tha se e rëndësishme ka qenë fillimisht të bëhet ideja dhe mekanizmat për mbrojtjen e tyre, pastaj kostoja.
“Ne kem afatin deri më 31 tetor që ta votojmë buxhetin për vitin 2027, këtë do ta bëjmë dhe natyrisht aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e UÇK-së. Ta kemi parasysh që së pari duhet strategjia shtetërore dhe më pastaj kostot. Njëherë vije ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat e pastaj edhe kostoja e tyre”, theksoi Kurti.
Kurti ka thënë se grupi punues për strategjinë shtetërore i cili është gjithëpërfshirës në kuptimin e përbërjes së anëtarëve, do ta informojë atë një herë në muaj.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se fillimi i punës së presidentes Justina Shiroka Pula e hap një kapitull të ri institucional që duhet të shoqërohet me përfaqësim dinjitoz të shtetit të Kosovës.
Hamza tha se pret që mandati i presidentes Shiroka Pula të shoqërohet me angazhim të vazhdueshëm për procesin në Hagë, respektimin e të drejtave të tyre dhe mbrojtjen e së vërtetës së luftës së UÇK-së.
“Mbrojtja e luftës së UÇK-së është përgjegjësi edhe ndaj brezave që kanë trashëguar dhe do ta trashëgojnë lirinë. Dhe kjo përgjegjësi na takon të gjithëve pa dallim partie, bindje apo pozite institucionale”, theksoi Hamza.
Gjatë ditës, nga zyra e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, konfirmuan se kryetarja Haxhiu i ka përcjellë për dekretim te presidentja Justina Shiroka Pula ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat u miratuan në Kuvend më 6 tetor. Presidentja Shiroka Pula tani ka tetë ditë kohë për ta dekretuar ligjin.


























