Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sonte në një konferencë për medie, ka dalë me propozim të ri për zgjedhjen e presidentit.
“Partia Demokratike e Kosovës refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim profesor Bekim Sadikun. E unë besoj që në rast të përgjigjes së tyre pozitive, profesor Bekimi do të rikthehej. Përveç tij, natyrisht i kemi edhe dy emra të cilët në këtë vit i kemi prezantuar si kandidatë për president: Glauk Konjufca dhe Ferid Agani, e të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita”, tha ai.
Ai tha se, “propozimi ynë më i ri është ky: meqë nuk po mund të arrij ta takoj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet që i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë me votë në zgjedhjen për president”.
“Dhe ne, pas zotimit të tyre, menjëherë po ua votojmë edhe leximin e dytë, nëse ata mendojnë që nuk përbën problem mosrespektimi i afatit prej 72 orësh ndërmjet dy mocioneve. Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja. Pra, një seancë Kuvendi sonte me dy pika: votimi i projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e presidentit të ri të Republikës. Pas kësaj, çfarë thashë unë, pres që kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, të cilin nuk po arrij ta takoj, të dalë publikisht por sot dhe të thotë që grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, që të gjithë, votojnë sonte për president Glaukun”, tha Kurti.


























