Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa ka kërkuar që emrat e kandidatëve të sqarohen në takimet ndërmjet partive.
Kurti ka thënë se deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, vitin e kaluar kishte kërkuar tërheqjen e Albulena Haxhiut, ndërsa sivjet kishte kërkuar tërheqjen e Feride Rushitit. Ai ka përmendur edhe bojkotimin e votimit për Haxhiun si kryetare të Kuvendit dhe paralajmërimin e Çitakut për bojkotimin e zgjedhjes së presidentit.
“Po e përsëris atë çfarë tashmë e ka thënë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e kjo është që ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai është shprehur se, bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, nuk është e domosdoshme që të votohet ekskluzivisht një emër i caktuar për këto pozita.
Kurti ka thënë se dëshiron të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, për të diskutuar emrat e kandidatëve për nënkryetarë.
“Nuk kam dërgua ende ftesa. Unë po dua që të takohemi, të bisedojmë dhe aty t’i diskutojmë emrat”, ka thënë Kurti.
Ai e ka cilësuar si të keqardhshme braktisjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se sot ka pasur mundësi që procesi të përmbyllej.
“Është për t’u ardhë keq që kësaj radhe as nuk takohemi e sot kemi braktisje të procesit të konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, partitë më herët kishin kërkuar me urgjencë konstituimin e Kuvendit, ndërsa sot është humbur një mundësi për ta përmbyllur këtë proces.
“Ju e dini që më herët thoshin që e kanë me urgjencë, se duhet të hyjmë në seancë dhe të mos dalim prej aty derisa ta kemi të konstituar Kuvendin. Sot ishte shansi për një gjë të tillë, por u lëshua ky shans”, ka thënë ai.
Megjithatë, Kurti ka thënë se ende nuk është tepër vonë për të arritur një marrëveshje dhe për ta përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Nuk është tepër vonë, jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht e së bashku ishim të suksesshëm”, ka deklaruar Kurti.

























