Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas përmbylljes së procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës, puna duhet të intensifikohet dhe koha të mos çohet dëm, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka përmendur konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentes si procese për të cilat, sipas tij, është shpenzuar shumë energji.
Kurti ka uruar presidenten e zgjedhur, Justina Shiroka-Pula, e cila sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, tashmë janë krijuar kushtet për punë pa pengesa. “Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se puna e institucioneve duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve dhe programit qeverisës. “Edhe një herë urime të gjithëve!”, ka përfunduar Kurti.


























