Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Studimes, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, përcjell KosovaPost.
Kurti ka rikujtuar se më 2 maj 1999, forcat serbe vranë 116 civilë shqiptarë, burra, gra, pleq dhe fëmijë, që po lëviznin nga Studimja e Poshtme drejt Studimes së Epërme.
“Më 2 maj 1999, forcat serbe ushtruan terror të organizuar ndaj civilëve shqiptarë që po lëviznin nga Studimja e Poshtme drejt Studimes së Epërme. Brenda vetëm dy orësh, 116 shqiptarë u vranë mizorisht, burra, gra, pleq e fëmijë nga Shala dhe rrethi i Vushtrrisë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se të nesërmen gratë dhe fëmijët u dëbuan me forcë drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u burgosën dhe u torturuan.
“Të nesërmen, gratë dhe fëmijët u dëbuan me dhunë drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u burgosën në Smrekonicë, ku u përballën me tortura dhe trajtim çnjerëzor”.
Kurti ka përmendur edhe dënimet e shqiptuara për disa nga përgjegjësit, por tha se ato mbeten të pamjaftueshme.
“Vlastimir Gjorgjeviq është dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tij në vrasjen e më shumë se 700 shqiptarëve, ku pjesë e aktakuzës ishte edhe masakra e Studimes, ndërsa në qershor 2025, Zoran Vukotiq u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte, përfshirë edhe krimet në Studime. Por këto dënime janë tepër pak përballë përmasës së krimit dhe peshës së dhimbjes së familjeve”, ka shkruar ai.
Sipas Kurtit, krimet e luftës nuk mund të harrohen dhe drejtësia mbetet e domosdoshme.
“Këto krime nuk harrohen, nuk falen dhe nuk zbehen me kohën. Ato mbesin plagë e hapur, derisa drejtësia e plotë të vihet në vend dhe përgjegjësit të përballen me dënimet e merituara”.
Në fund, Kurti ka nderuar viktimat e masakrës së Studimes.
“I përkujtojmë me nderim martirët e masakrës së Studimes dhe të gjithë ata që u flijuan për lirinë tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar Kurti.


























