Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar profesorin dhe politikanin Fehmi Agani në përvjetorin e vrasjes së tij më 6 maj 1999 nga forcat serbe.
Kurti e cilësoi Fehmi Agani si një nga figurat më të rëndësishme të inteligjencës shqiptare të fundshekullit XX, duke theksuar rolin e tij si sociolog, profesor dhe veprimtar politik gjatë viteve ’90.
Ai ka shkruar se ‘Agani u rrëmbye dhe u ekzekutua gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të fushatës së dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve, e cila sipas tij përfshinte edhe shënjestrimin e intelektualëve dhe figurave publike’.
Kurti vlerësoi se vepra akademike dhe angazhimi politik i Aganit mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ndërsa profili i tij vazhdon të shërbejë si shembull i mendimit kritik dhe kontributit publik.
Fehmi Agani konsiderohet një nga figurat kyçe të skenës intelektuale dhe politike shqiptare në Kosovë në fund të shekullit XX.


























