Partia e Drejtësisë i ka dhënë mbështetje ujdisë së arritur në Ohër në mes të kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
PD në një komunikatë dërguar medieve, është shprehur e bindur se Serbia e ka bërë njohjen de facto të shtetësisë së Kosovës me mbështetjen publike të parimeve të marrëveshjes themelore të 27 shkurtit.
“PD vlerëson se përmbushja e detyrimeve të marra të palëve nënshkruese që do të monitorohet nga trupi politik i kryesuar nga BE, domosdoshmërisht do të qoj, brenda afatit të shkurtër kohor, në fitimin e statusit kandidat për anëtarësim në BE, anëtarësim në Këshillin e Europës dhe programin e NATO-s të partneritetit për paqe, si dhe anëtarësimin në Interpol, UNESCO, OBSH dhe organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PD-së.
Komunikata e plotë e PD-së:
Partia e Drejtësisë vlerëson arritjen e pajtimit në Ohër rreth aneksit të marrëveshjes së 27 shkurtit ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndonëse të paformalizuar me nënshkrim por publikisht të pranuar nga palët, si sukses të diplomacisë ndërkombëtare dhe hap të duhur në drejtim të fuqizimit të proceseve integruese euro-atlantike të vendit. Situata aktuale paraqet test për partnerët ndërkombëtar se sa do të jenë në gjendje që në mënyrë efektive të monitorojnë zbatimin e dokumenteve të dakorduara dhe të marrin masa efektive siç kanë proklamuar.
PD është e bindur se Serbia e ka bërë njohjen de facto të shtetësisë së Kosovës me mbështetjen publike të parimeve të marrëveshjes themelore të 27 shkurtit, por njëkohësisht me mosnënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të sajë ka dëshmua qartë se po mundohet të blejë kohë sepse e kaluara na mëson se realisht nuk do t’i zbatojë.