Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka marr pjesë në përurimin e Shtëpisë Muze të Ymer Elshanit, në Korreticë të Poshtme në Drenas, përcjell KosovaPost.
Kurti ka postuar një video nga kjo vizitë në llogarinë e tij në Facebook, teksa i ka shprehur mirënjohje të veçantë Teutës, të vetmen të mbijetuar të familjes Elshani, e cila me përkushtim e kujdes ka ruajtur gjësendet dhe kujtimet e familjes.
Postimi i plotë:
Shkrimtarët dhe intelektualët janë shpirti i një populli, siç ishte poeti e shkrimtari Ymer Elshani për shqiptarët e Kosovës. Ai u vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, kunatën dhe 45 bashkëfshatarë të tjerë që u vranë e u masakruan të njëjtën ditë. Ndërsa nënën ia vranë një ditë më vonë, më 18 prill.
E sot, në Korreticë të Poshtme në Drenas, përuruam Shtëpinë Muze të Ymer Elshanit. Mirënjohje e veçantë për Teutën, të vetmen të mbijetuar të familjes Elshani, e cila me përkushtim e kujdes ka ruajtur gjësendet dhe kujtimet e familjes, që sot kjo shtëpi të mund të hapë dyert për qytetarët, të rinjtë, vizitorët e huaj dhe të shërbejë si një vend kujtese, dëshmie dhe reflektimi për brezat që vijnë.


























