Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimit me NATO-n, duke i cilësuar ato si prioritete afatgjata të politikës së jashtme të Kosovës. Ai i bëri këto deklarata në hapjen e edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj, ku foli edhe për integrimin evropian, sigurinë ndërkombëtare dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Akademisë Diplomatike të Kosovës, ka hapur edicionin e 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj.
Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se ky program, i cili organizohet prej më shumë se një dekade, u ka ofruar diplomatëve të rinj mundësi për shkëmbim idesh dhe krijimin e lidhjeve ndërkombëtare.
“Për më shumë se një dekadë, ky program ka ofruar një hapësirë të rëndësishme për diplomatët e rinj nga e gjithë bota, që të mblidhen së bashku, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë lidhje drejt një të ardhmeje të përbashkët, me mirëkuptim dhe bashkëpunim më të madh”, tha Kurti.
Ai vlerësoi se organizimi i programit për 12 vjet radhazi dëshmon interesimin dhe përkushtimin e një brezi të ri diplomatësh për t’u përballur me sfidat globale.
Sipas Kurtit, Kosova është një vend i përshtatshëm për zhvillimin e këtij shkëmbimi, pasi çështje si paqja dhe siguria, sovraniteti, zhvillimi, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe e drejta ndërkombëtare kanë qenë pjesë e përvojës së saj si shtet.
“Përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, ne kemi kaluar nga sfidat fillestare të konsolidimit të shtetit në të qenit pjesëmarrës aktivë në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Kurti foli edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, si dhe për synimet e vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në INTERPOL.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t’u ofronte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Kurti.
Sipas tij, anëtarësimi në INTERPOL do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin me forcat policore në mbarë botën.
Duke folur për sigurinë ndërkombëtare, Kurti tha se Kosova ka kontribuar në trajnimin e personelit ushtarak ukrainas dhe ka marrë pjesë në zbarkime të përbashkëta ushtarake me partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri u ndal edhe te sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm ndaj presioneve të jashtme që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin rajonal, përfshirë ndikimin e dëmshëm të huaj, dezinformimin dhe përpjekjet për të minuar institucionet demokratike”, tha ai.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të institucioneve demokratike dhe thellimit të partneriteteve ndërkombëtare.
“Ruajtja e partneritetit të saj strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi i ngushtë me aleatët që ndajnë vlerat e saj dhe përkushtimin ndaj një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla mbeten prioritete afatgjata të politikës së jashtme të Kosovës”, tha Kurti.
Ai shtoi se partneriteti i Kosovës me NATO-n ka rëndësi të veçantë në këtë drejtim.


























