Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për glorifikimin që Serbia po vazhdon t’u bëjë kriminelëve të luftës, duke marrë shkas nga rasti i Ratko Mladiqit. Ai tha se kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.
“Ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, theksoi ai.
Kurti tha se Vuçiqi po e pret me nderime të larta shtetërore Mladiqin, ndërsa përmendi edhe deklaratën e presidentit serb për vrasjen e 100 myslimanëve boshnjakë për një serb të vrarë.
“Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si ‘Sarajevo Safari’. Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës”, dekaroi Kurti.
Sipas tij, rasti i Mladiqit është shembull i mënyrës se si në Serbi glorifikohet figura e njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimet më të rënda të luftës në Bosnje.
“Ky është edhe një shembull i qartë i mënyrës se si në Serbi glorifikohet figura e njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se për Kosovën kjo çështje ndërlidhet me mënyrën se si historia do t’u përcillet brezave të ardhshëm dhe me hapësirën për mohimin, shtrembërimin dhe relativizimin e asaj që ka ndodhur.
“Për Kosovën, kjo ndërlidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do t’ua përcjellim brezave të ardhshëm historinë. Sa më e plotë të jetë puna jonë dokumentuese dhe shkencore sot, aq më pak hapësirë do të ketë nesër për mohimin, shtrembërimin dhe relativizimin e asaj që ka ndodhur”, theksoi Kurti.


























