Agjencia e Kosovës për Akreditim është njohur zyrtarisht nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, CHEA, për një periudhë shtatëvjeçare, deri më 31 dhjetor 2033.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar këtë zhvillim si një sukses të jashtëzakonshëm për vendin dhe për arsimin e lartë në përgjithësi.
Sipas tij, Kosova tashmë është shteti i parë dhe aktualisht i vetmi në Evropë që ka marrë këtë status nga CHEA në SHBA.
Ai ka theksuar gjithashtu se kjo njohje vjen më pak se një vit pasi Agjencia e Kosovës për Akreditim është regjistruar në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke e bërë Kosovën të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor me këtë status.
Sipas Kurtit, ky sukses është dëshmi e reformave, profesionalizmit dhe përkushtimit institucional për cilësi në arsimin e lartë.
Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojnë të garantojnë pavarësinë e institucioneve të akreditimit dhe të mbështesin fuqizimin e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në përfundim, Kurti ka theksuar se kjo njohje forcon kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap mundësi të reja për studentët, profesorët, institucionet e arsimit të lartë dhe diasporën./teve1.info/


























