Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur çështjen e aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në selinë e OKB-së në Nju Jork, përcjell KosovaPost.
Kurti tha se ka shprehur shqetësimin e tij për, siç i cilësoi, “dënimet e rënda dhe të padrejta” ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar. “Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e Apelit”, tha Kurti. Ai mbrojti luftën e UÇK-së, duke thënë se ajo ishte përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve masive nga Serbia.
“Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në New York, u takova me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas. Pasnesër, më 24 shtator, mbushen tre vjet nga agresioni i Serbisë dhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Ndërkohë, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Aika shkruar se i ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij.
“Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohem në shkallën e apelit. Ushtria Çlirimtare Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia dhe lufta e saj për liri ishte e drejtë dhe e pastër. Serbia ishte agresori me plan gjenocidal. Qindra mijëra qytetarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe mijëra u vranë, ndërsa rreth 20 mijë gra e burra konsiderohen viktima të dhunës seksuale që u përdor si armë lufte. Shumë krime të forcave serbe mbeten ende pa u ndëshkuar. Pa dyshim në takim ngrita edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët në Serbi nuk gëzojnë të drejta të barabarta. Aty ka një nënpërfaqësim të theksuar në institucione, teksa vazhdon spastrimi etnik administrativ me heqjen e adresave”, tha Kurti.
Duke shtuar se teksa Serbia sikur qëndron mes Rusisë e Kinës, duke i kthyer shpinën vlerave demokratike dhe duke kthyer kokën vetëm për fondet e BE-së, Republika e Kosovës është strategjikisht e përcaktuar dhe e palëkundur në rrugën e saj të integrimit evropian dhe euro-atlantik.
“Jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuajse të gjitha fushat dhe jemi të gatshëm të punojmë edhe më shumë, andaj përgjigjja e duhur dhe e domosdoshme e Brukselit do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim”, tha Kurti.


























