Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të NATO-s në vend, përcjell KosovaPost.
Kurti, përmes një postimi, ka vlerësuar se komunikimi me Ulutaş gjatë dy mandateve të tij në krye të KFOR-it ka qenë konstruktiv, duke theksuar se ai largohet nga Kosova si mik.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, zhvillimet aktuale politike dhe situatën e sigurisë në vend dhe rajon.
Po ashtu, ata kanë biseduar për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, si dhe për bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Republikës dhe KFOR-it.
Kurti ka bërë të ditur se është diskutuar edhe për mundësitë konkrete të zgjerimit dhe thellimit të këtij bashkëpunimi, ndërsa e ka falënderuar Ulutaşin për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij.


























