Lëvizja Vetëvendosje (LV), ende nuk i ka zyrtarizuar kandidatët për kryetarë të komunave. Gara për këto pozita, duket që po vazhdon të zhvillohet brenda përbrenda subjektit, shkruan Kosova Post.
Në Prishtinë, jozyrtarisht, merret vesh që Arben Vitia veç i ka kaluar të gjitha fazat për t’u nominuar nga partia si kandidat për kryeqytetin. Megjithatë, po ashtu po spekulohet se ministrin aktual të shëndetësisë, po e rivalizon një tjetër mjek. Bëhet fjalë për aktivistin e vjetër nga kjo parti: Arbër Vokrri.
Vokrri, është mjek me profesion, asamblist nga radhët e LV-së në Prishtinë, e po ashtu edhe profesor në kolegjin AAB.
Kosova Post ka bërë përpjekje që t’i konfirmoj këto të dhëna, mirëpo nga Vetëvendosje, nuk kanë kthyer përgjigje.
Nga ana tjetër, Vokrri për Kosova Post ka thënë se nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim. I pyetur rreth këtyre spekulimeve, ai ka thënë se për këto çështje vendosin strukturat e partisë.
“Nominimin si kandidat, unë nuk do ta cilësoja vetëm si nder, por edhe përgjegjësi të madhe!”
Sipas Vokrrit, gara në zgjedhjet lokale, është më e rëndë se sa ajo për zgjedhjet nacionale. Ai po ashtu ka shtuar se do ta përkrahë cilindo që do të nominohet nga partia, për të marrë pjesë në këto gara. E nëse ato do ta propozonin emrin e tij për kandidat, do ta shqyrtonte seriozisht./KosovaPost/