Ministria e Jashtme e Rusisë tha të enjten se bisedimet e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse, të cilat janë planifikuar për datën 10 janar në Gjenevë të Zvicrës, do të udhëhiqen nga Wendy Sherman e Sergei Ryabkov.
Wendy Sherman është zëvendëssekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Sergei Ryabkov është zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Rusisë.
Rusia më pas pritet të zhvillojë bisedime edhe me NATO-n në Bruksel, më 12 janar, para një takimi më të gjerë mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane më 13 janar, për të cilin ministria ruse tha se do të zhvillohet në Vjenë të Austrisë, shkruan Reuters.
“Gjatë bisedimeve, ne do të kërkojmë garanci ligjore për sigurinë e Rusisë nga ana e ShBA-së, më saktësisht që NATO-ja nuk do të lëvizë në lindje dhe se sistemet e armëve që e rrezikojnë Rusinë nuk do të dërgohen afër kufijve tanë”, tha të enjten Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Në bisedimet e 13 janarit do të përfshihen edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE-ja), pjesë e së cilës janë edhe Shtetet e Bashkuara e aleatët e saj në NATO; si dhe Rusia, Ukraina e shtete të tjera ish-sovjetike, përcjell Gazeta Express. Ndryshe, presidentët Joe Biden i Shteteve të Bashkuara e Vladimir Putin i Rusisë pritet të zhvillojnë një bisedë telefonike të enjten në orën 21:30.