Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për fitimin e medaljes së artë në garën prestigjioze “Cambrian Patrol 2026” në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell KosovaPost.
Maqedonci ka thënë se kjo arritje, në mesin e 120 ekipeve pjesëmarrëse, është dëshmi e profesionalizmit, disiplinës dhe përgatitjes së lartë të pjesëtarëve të FSK-së.
Ai ka bërë të ditur se kjo arritje është nderuar edhe në Ambasadën e Kosovës në Londër, ku, nën mikpritjen e ambasadorit Ilir Kapiti, pjesëtarët e FSK-së ngritën flamurin e Republikës së Kosovës mbi ndërtesën e ambasadës, në një ceremoni ushtarake.
“Kjo arritje është dëshmi e qartë e profesionalizmit dhe përkushtimit të pjesëtarëve tanë, si dhe e rrugëtimit të vazhdueshëm të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci në facebook.


























