Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, shpreh mbështetjen e saj për kandidaturën e z. Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës.
Këtë mbështetje e bazojmë në përvojën e tij të gjatë juridike, diplomatike dhe akademike, si dhe në qëndrimet e tij të dëshmuara në mbrojtje të Kushtetutës, rendit juridik, sovranitetit dhe interesit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Vlerë të veçantë për ne ka qëndrimi i z. Sejdiu në vitin 2016, në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, lidhur me çështjen e pronave të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, çështje kjo që lidhet drejtpërdrejt me kontestin pronësor ndërmjet institucioneve publike dhe Manastirit të Deçanit.
Për Lidhjen e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, kjo çështje ka rëndësi të veçantë historike, juridike dhe shtetërore. Ne kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të majit 2016, duke konsideruar se ai ka prodhuar pasoja të rëndësishme juridike e politike për qytetarët e Deçanit dhe Republikën e Kosovës.
Në këtë kontekst, qëndrimin e z. Bekim Sejdiu në vitin 2016 e vlerësojmë si një qëndrim parimor në mbrojtje të rendit kushtetues, juridiksionit të Republikës së Kosovës dhe interesit të qytetarëve të Deçanit.
Për ne, mbrojtja e rendit juridik të Republikës së Kosovës nënkupton edhe mbrojtjen e të drejtave pronësore të qytetarëve dhe institucioneve të saj dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje që, sipas vlerësimit tonë, mund të prodhojë pasoja juridike të trashëguara nga politikat pronësore të regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë.
Një tjetër arsye për mbështetjen tonë është përvoja e gjerë diplomatike e z. Sejdiu dhe kontributi i tij në përfaqësimin dhe afirmimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Angazhimi i tij diplomatik në Turqi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një përvojë të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të përfaqësimit të interesave të Kosovës përballë partnerëve të saj strategjikë.
Po aq të rëndësishëm e konsiderojmë kontributin e tij shumëvjeçar akademik si profesor në Universitetin e Prishtinës. Përmes punës universitare, ligjërimit dhe edukimit të brezave të rinj, ai ka kontribuar në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të kuadrove profesionale të Republikës së Kosovës.
Përvoja si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, diplomat dhe profesor universitar përbën një kombinim të veçantë të përvojës juridike, institucionale, diplomatike dhe akademike. Në vlerësimin tonë, pikërisht ky kombinim e bën z. Bekim Sejdiu një kandidat me profil të përshtatshëm për ushtrimin me përgjegjësi të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në këtë kuadër, vlerësojmë edhe kontributin e familjes Sejdiu në rrugën historike të popullit të Kosovës për liri, çlirim dhe pavarësi. Sakrifica dhe angazhimi i familjeve shqiptare që kanë qenë pjesë e kësaj rruge janë pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe duhet të ruhen e të nderohen.
Ne besojmë se në krye të institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të jenë personalitete që kanë dëshmuar integritet profesional, përkushtim shtetëror, respekt për Kushtetutën dhe gatishmëri për të mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, duke marrë parasysh përvojën e tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, përvojën diplomatike në Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributin shumëvjeçar akademik në Universitetin e Prishtinës, qëndrimet e tij në mbrojtje të rendit kushtetues dhe juridiksionit të Republikës së Kosovës, si dhe kontributin e familjes së tij në rrugën e lirisë, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, shpreh mbështetjen e saj për kandidaturën e z. Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës.
Këtë mbështetje e konsiderojmë si mbështetje për një personalitet me përvojë të dëshmuar juridike, diplomatike dhe akademike, i cili, sipas vlerësimit tonë, mund të kontribuojë në forcimin e shtetit të së drejtës, rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”
Dega në Deçan
I dërgohet:
● Shtëpive mediale;
● Opinionit publik;
● Arkivit të LHK “Ali Hadri”, dega në Deçan.


























