Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraqitur argumentet përfundimtare në seancën gjyqësore në rastin ku ai dhe të tjerët akuzohen për tentim të pengimit të drejtësisë.
Në fjalën e saj, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka argumentuar se edhe nëse gjykata do t’i konsideronte të besueshme transkriptat e paraqitura në rast, udhëzimet që pretendohet se Thaçi u ka dhënë të tjerëve nuk kanë qenë të tilla që mund të pengonin punën e zyrtarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës apo të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, transmeton Klankosova.tv.
“Edhe nëse do t’i konsideroni transkriptat e tilla si të besueshme, ne parashtrojmë se çdo udhëzim që Thaçi mund të ketë dhënë, në parim, as nuk ka qenë në gjendje që të pengonte zyrtarët e DHSK-së apo ZPS-së”, ka deklaruar Menegon.
Ajo ka theksuar se disa prej udhëzimeve të pretenduara kanë qenë të natyrës së përgjithshme dhe, sipas saj, kanë bërë thirrje për të thënë të vërtetën dhe për të dhënë dëshmi të sakta.
“Për shembull, shumë prej udhëzimeve të tij të pretenduara ishin të qarta, të llojit: të thotë të vërtetën, të jetë i qartë, të japë dëshmi korrekte”, ka thënë avokatja.
Menegon ka përmendur gjithashtu diskutimet lidhur me informacionet që ishin tashmë në domenin publik, duke argumentuar se ato ishin të njohura edhe nga vizitorët e Thaçit.


























